Hoti fton strukturat e LDK-së në Rahovec: Tubim mobilizues më 20 maj në Ratkoc

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar veprimtarët, anëtarët dhe zyrtarët e Degës së LDK-së në Rahovec që të marrin pjesë në një tubim mobilizues, i cili do të mbahet të mërkurën, më 20 maj 2026, në ora 19:00, në sallën e sporteve të shkollës fillore në fshatin Ratkoc.

Në ftesën drejtuar strukturave të partisë, Hoti thekson se LDK-ja mbetet “shtëpia politike” e të gjithë anëtarëve duke nënvizuar rolin historik të saj në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe përkushtimin për të qenë në shërbim të qytetarëve.

Ai dhe kandidatët e tjerë për deputetë kërkojnë besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve për një program që synon rikthimin e Kosovës në rrugën e integrimit euroatlantik, përmes zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe forcimit të partneriteteve strategjike me SHBA-në dhe vendet kyçe të BE-së.

Programi i prezantuar përfshin edhe përfundimin e projekteve infrastrukturore të mbetura pezull, rifillimin e reformave ekonomike e fiskale, si dhe vendosjen e arsimit dhe shëndetësisë në qendër të politikave qeveritare.

Në fokus janë gjithashtu modernizimi i bujqësisë, forcimi i sistemit të drejtësisë dhe sigurisë sipas standardeve euroatlantike, si dhe thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë dhe mbështetja për shqiptarët në rajon.

Tubimi në Rahovec pritet të shërbejë si një moment mobilizues për strukturat e LDK-së në prag të zgjedhjeve, me thirrjen për unitet dhe angazhim të përbashkët politik.

Ai në këto zgjedhje garon me numrin rendor 11. /Kosova.info/


Go to TOP