Qalaj dhe Isufaj në Sarajevë: Thellohet bashkëpunimi rajonal kundër krimit dhe korrupsionit

Nën organizimin e Prokurorisë së Bosnje dhe Hercegovinës dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (Eurojust) në Sarajevë është mbajtur Forumi i radhës Konsultativ i kryeprokurorëve të përgjithshëm dhe kryeprokurorëve specialë të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë forum morën pjesë ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), z. Blerim Isufaj. 

Kryeprokurorët e përgjithshëm dhe ata specialë të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën për të ndarë përvojat dhe sfidat e përbashkëta, për të forcuar përpjekjet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin juridik ndërkufitar në fushën e drejtësisë penale.

Në këtë takim, pjesëmarrësit konfirmuan synimet e përbashkëta në luftën kundër krimit dhe theksuan rolin mbështetës që Eurojust-i dhe projekti WBCJ po iu japin autoriteteve të vendeve të rajonit. 

Në margjinat e këtij forumi, u.d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Qalaj dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Isufaj, zhvilluan takim edhe me Presidentin e Eurojust-it, z. Michael Schmid, ku u vlerësua lart bashkëpunimi i deritanishëm dhe mbështetja e vazhdueshme e Eurojust-it.  

Gjithashtu, U.d. Kryeprokurori i Shtetit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale zhvilluan takime bilaterale edhe me homologët e tyre, respektivisht me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryeprokurorin e SPAK-ut të Republikës Shqipërisë, Kryeprokurorin Suprem dhe Kryeprokurorin Special të Malit të Zi, si dhe me Prokurorin Publik dhe Drejtuesin e Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Maqedonisë së Veriut, me ç’rast në këto takime u riafirmua gatishmëria për thellimin e koordinimit dhe bashkëpunimit rajonal në luftimin e kriminalitetit. /Kosova.info/


Go to TOP