Prishtina 2030 merr formë: Durrësi pjesë e organizimit të Lojërave Mesdhetare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se përgatitjet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” po avancojnë përmes takimeve koordinuese dhe vizitave inspektuese të përbashkëta me partnerët rajonalë dhe institucionalë.

Sipas tij, gjatë vizitës në Durrës, së bashku me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako, si dhe delegacione nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, janë zhvilluar diskutime konkrete për organizimin e këtij eventi madhor sportiv.

Rama theksoi se Durrësi do të jetë pjesë e organizimit të garave të lundrimit duke shtuar një dimension ndërkombëtar dhe bashkëpunues për Lojërat Mesdhetare.

“Kur qytetet dhe institucionet bashkohen, krijohen ngjarje që tejkalojnë kufijtë dhe fuqizojnë gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë një ndër ngjarjet më të mëdha sportive në rajon duke përfshirë jo vetëm Kosovën, por edhe bashkëpunime të rëndësishme me qytete dhe institucione nga vendet fqinje. /Kosova.info/


Go to TOP