Shqiponja e fiton finalen dramatike në Samadrexhë
Shqiponja e ka bërë hapin e parë drejt titullit të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të mërkurën mbrëma në palestrën “Afrim Bunjaku”, Shqiponja e mposhti Samadrexhën vendase me rezultat 23:22.
Ndeshja ishte shumë e fortë, me fund shumë dramatik.
Në minutën e 58-të rezultati ishte 21:21. Menjëherë Shqiponja shënoi për 22:21.
Në minutën e 59-të, Orgesa Gola realizoi për dy gola dallim, 23:21. Dhe vendaset vetëm ngushtuan rezultatin në 23:22, pa ia dalë të barazojnë më.
Samadrexha e nisi ndeshjen mirë dhe krijoi epërsi 3:0. Më pas u shkëput në 9:4. Por gjakovaret barazuan në 9:9.
Pasoi periudhë e mirë e vendaseve dhe pjesa e parë përfundoi 12:10.
Edhe në pjesën e dytë samadrexhaset krijuan epërsi prej tri golave, 15:12. Por Shqiponja nuk u dorëzua dhe barazoi prapë.
21:20 ishte epërsia e fundit e Samadrexhës. Më pas fundi dramatik e nxori Shqiponjën fituese të madhe.
Alma Nivokazi dhe Ana Carolini Gonçalves udhëhoqën Shqiponjën me nga gjashtë gola. Me pritje të shumta u dallua portierja Thayline Queiroz.
Amanda Abreu ishte më efikasja te Samadrexha me pesë gola.
Finalja e dytë zhvillohet të shtunën mbrëma në Gjakovë. Skuadra me tri fitore shpallet kampione. /Kosova.info/
