LDK prezanton Sami Borocin: Profesionist i financave, teknologjisë dhe sportit në garën për deputet

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar Sami Borocin si pjesë të listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas njoftimit, Boroci vjen në LDK me një përvojë të gjatë profesionale në sektorin financiar, teknologji dhe menaxhim sportiv duke u cilësuar si profil i profesionistit modern që i duhet Kosovës.

Ai ka shërbyer për tri mandate si anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ndërsa ka mbi 10 vite përvojë në sektorin bankar dhe pesë vite angazhim në fushën e teknologjisë dhe digjitalizimit.

Përveç karrierës profesionale, Boroci ka qenë aktiv edhe në sport. Për pesë vite ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit Sportiv në KF Prishtina e Re, ndërsa aktualisht është pjesë e FC Malisheva, ku vazhdon angazhimin në organizimin dhe menaxhimin sportiv.

Nga LDK është vlerësuar se bashkimi i tij me listën zgjedhore paraqet vlerë të shtuar për ekipin dhe dëshmi të angazhimit të partisë për të afruar profesionistë me integritet, përvojë dhe vizion për të ardhmen e Kosovës.

“Mirë se vjen në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Sami Boroci”, thuhet në mesazhin e mirëseardhjes së partisë.

52 është numri i tij në listë. /Kosova.info/


Go to TOP