Avdyli: Po më kërcënojnë me profile false, por nuk frikësohem
Deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ndaj kërcënimeve dhe fyerjeve që, sipas tij, po i merr vazhdimisht në rrjetet sociale nga profile që mbajnë fotografinë e kryeministrit Albin Kurti.
Avdyli ka thënë se këto sulme nuk po e frikësojnë, përkundrazi po e bëjnë më krenar, pasi sipas tij tregojnë se “dikush po bie nga froni”.
“Këto kërcënime e sharje që po marr çdo ditë, veç po më bëjnë krenar, që sa shumë ua paskemi shti ethet në bark”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend të frikësohet nga profilet false dhe kujtoi periudhën e luftës duke deklaruar se “frikën e kam vra në vitin 1999”.
Më tej, Avdyli sqaroi raportin e tij politik me Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i saj, por ishte pjesë e koalicionit të janarit 2021 mes Vjosa Osmani dhe Kurtit.
“Unë nuk jam themelues i VV-së si Liburn Aliu. Kam qenë deputet i LDK-së në dy mandate dhe kurrë nuk kam pasur librezë të VV-së”, u shpreh ai.
Avdyli kritikoi edhe mosvazhdimin e bashkëpunimit politik me Osmanin duke thënë se mbështetja për mandatin e saj si presidente u ndërpre nga vetë VV-ja.
Sipas tij, disa persona të fshehur pas profileve false po nxiten indirekt nga “një qendër vendimmarrëse brenda VV-së” për përhapje të frikës dhe propagandës, ndonëse ai shtoi se nuk beson që këto veprime po japin efekt.
“Nuk po dua të viktimizohem, vetëm po dua t’ju informoj”, përfundoi Avdyli. /Kosova.info/
