Qytetarja në Ferizaj gjen portofol me 2030 euro dhe e dorëzon në polici
Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetare nga Ferizaj ka gjetur një portofol me para në vlerë prej 2030.85 euro dhe e ka dorëzuar në stacionin policor, ku më pas i është kthyer pronarit të ligjshëm pas verifikimeve të kryera.
Sot, rreth orës 16:55, qytetarja me inicialet A. Mehmeti, 43-vjeçare, mësimdhënëse nga Ferizaj, ka gjetur një portofol me para në afërsi të rrugës “Agim Matoshi” në Ferizaj. Sipas Policisë së Kosovës, ajo ka reaguar menjëherë dhe “pa hezitim e ka dorëzuar portofolin në stacionin policor në Ferizaj”.
“Meqenëse pronari i portofolit ende nuk ishte identifikuar, hetuesit e stacionit policor kanë dalë në vendin e ngjarjes për verifikimin e kamerave të sigurisë në atë zonë. Më pas, në stacionin policor është paraqitur qytetarja me inicialet L.K. (22-vjeçare) nga Ferizaj, me banim të përkohshëm në Gjermani, e cila ka raportuar humbjen e portofolit”, thuhet në njoftim.
Pas verifikimeve të kryera nga policia, është konfirmuar se bëhej fjalë për të njëjtin portofol.
Policia ka bërë të ditur se “pas procedurave të nevojshme, pronares së ligjshme i është kthyer portofoli me shumën prej 2030.85 euro”.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetaren A. Mehmeti për veprimin e saj, duke e vlerësuar si shembull të lartë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare. Sipas policisë, ky gjest “forcon besimin mes qytetarëve dhe institucioneve të rendit”.
