Wembanyama shkëlqen me 39 pikë, San Antonio Spurs triumfojnë ndaj Minnesota

San Antonio Spurs rikthehet fuqishëm në garën e play-off-it pas triumfit të madh në transfertë ndaj Minnesota Timberwolves me rezultatin 115-108, në një përballje spektakolare dhe shumë të luftuar deri në fund.

Ylli i skuadrës teksane, Victor Wembanyama, zhvilloi një tjetër paraqitje fantastike duke marrë ekipin mbi supe drejt fitores në Mineapolis. Francezi realizoi 39 pikë, ku 16 prej tyre erdhën vetëm në periodën e katërt, duke qenë vendimtar në momentet kyçe të sfidës.

Te vendasit nuk mjaftoi performanca e shkëlqyer e Anthony Edwards, i cili e mbylli takimin me 32 pikë dhe 14 kërcime, por Timberwolves nuk arritën t’i rezistojnë ritmit të Spurs në fundin e ndeshjes.

Ndërkohë, në Konferencën e Lindjes, New York Knicks duket se po marshojnë të sigurt drejt raundit tjetër, pasi regjistruan fitoren e tretë radhazi ndaj Philadelphia 76ers.

Edhe rikthimi i Joel Embiid nuk ndryshoi fatin e Philadelphia-s, pasi Knicks arritën të dominojnë falë një tjetër performance të jashtëzakonshme të Jalen Brunson, autor i 33 pikëve. Skuadra nga New Yorku ia doli të fitojë edhe pse kishte mungesa të rëndësishme, mes tyre edhe atë të OG Anunoby.

Rezultatet:

Philadelphia 76ers – New York Knicks 94-108 (0-3)

Minnesota Timberwolves – San Antonio Spurs 108-115 (1-2)


Go to TOP