Cana: Padeli është një nga kontributet e mia në sport, Kosova po hyn fuqishëm në hartën ndërkombëtare

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, ka folur për angazhimin e tij në zhvillimin e padelit në Kosovë duke e cilësuar këtë sport si një prej projekteve më të rëndësishme për zgjerimin e komunitetit sportiv në vend.

Në një intervistë për KosovaPress gjatë turneut ndërkombëtar “FIP Bronze”, Cana tha se padeli po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet në Kosovë dhe se investimet e para janë bërë me synimin që ky sport të ketë “shtëpinë e vet”.

“Padeli ka qenë një nga kontributet ose projektet që kemi munduar bashkë me Federatën e Kosovës me e bërë të njohur këtu te ne, me mujt me e praktiku dhe me e rrit komunitetin”, deklaroi Cana.

Ai tregoi se ideja për investimin në padel erdhi pasi pa zhvillimin e madh të këtij sporti në Evropë dhe interesimin e ish-futbollistëve të njohur për të.

“Filluam me bë investimin e parë që së paku të ketë një vend ku mund të shkojmë e të luajmë, t’i sjellim edhe shkollat edhe komunitetin. Për pak kohë komuniteti u rrit dhe sot Federata Ndërkombëtare e Padelit po i beson Kosovës organizime ku marrin pjesë sportistë nga rreth 40 shtete”, u shpreh ai.

Cana përmendi edhe emra të njohur të futbollit botëror që tashmë janë të përfshirë në padel, si Zlatan Ibrahimović dhe Zinedine Zidane duke theksuar se ky sport po shndërrohet në një trend të madh në Evropë.

Sipas tij, synimi kryesor mbetet afrimi i të rinjve me sportin dhe zgjerimi i komunitetit të padelit në Kosovë.

“Qëllimi është që të rritet komuniteti dhe të afrohen sa më shumë njerëz drejt sportit në përgjithësi dhe në këtë rast edhe komuniteti i padelit. Kosova tashmë është njohur zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Padelit dhe kjo është një arritje e jashtëzakonshme”, theksoi Cana.

Ai shtoi se padeli në Kosovë është ende në fazat e para të zhvillimit, por me potencial të madh për t’u kthyer në një sport shumë të përhapur në të ardhmen. /Kosova.info/


Go to TOP