Kolgeci zhvilloi takim shumë konstruktiv me Presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa
Të premten në Bazel të Zvicrës, Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, ka zhvilluar takim shumë konstruktiv me presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF), Hassan Moustafa, dhe Drejtoreshën Ekzekutiv të IHF-së, Amal Khalifa.
Presidenti Kolgeci ka thënë se gjatë takimit janë diskutuar çështje me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit në Kosovë.
“Gjatë takimit zyrtar u trajtuan tema të ndryshme si mbështetja infrastrukturore, siç janë dyshemetë sportive dhe mundësia për realizimin e një palestre të mbuluar sportive; mundësia e organizimit të një takimi me përfaqësues të ‘Gerflor’ për të diskutuar aspektet teknike dhe realizimin e projektit. E kam paraqitur kërkesën që çiftet e gjyqtarëve kosovarë të hendbollit të avancojnë në nivelin e gjyqtarëve ndërkombëtarë të IHF-së duke pasur parasysh potencialin dhe angazhimin e tyre. Po ashtu kam kërkuar mbështetje për zhvillimin e mini-hendbollit në Kosovë përmes pajisjeve sportive, topave dhe portave për grupmoshat e reja, si dhe angazhimin e mentorëve nga IHF-ja duke prezantuar progresin e arritur deri më tani në këtë fushë”, ka theksuar Kolgeci.
Ai mori premtime të mëdha nga Presidenti Moustafa dhe Khalifa.
“Nga diskutimet e zhvilluara kemi marrë sinjale shumë pozitive dhe besojmë se IHF-ja do të ofrojë mbështetje konkrete për këto projekte dhe iniciativa në periudhën e ardhshme. Federata e Hendbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e hendbollit, infrastrukturës sportive dhe avancimin ndërkombëtar të sportit tonë”, ka shtuar presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci. /Kosova.info/
