Rasim Smajlaj: Nuk ia jap votën PDK-së, mbetem me bindje te LDK-ja

Afaristi i mirënjohur, Rasim Smajlaj ka bërë të ditur se në zgjedhjet e ardhshme do ta përkrahë “origjinalitetin dhe qëndrimin me dinjitet në politikë” duke theksuar se vota e tij nuk do të shkojë për PDK-në.

Përmes një reagimi publik, Smajlaj ka deklaruar se ka qenë gjithmonë pjesë e LDK-së, por në katër palë zgjedhje kishte mbështetur Nismën Socialdemokrate për shkak të respektit ndaj Fatmir Limajt dhe disa arsyeve familjare.

Ai ka sqaruar se, meqë Nisma nuk do të garojë në këto zgjedhje, dëshiron të bëjë të qartë pozicionin e tij politik.

“Edhe nëse disa nga miqtë e mi kalojnë në listën e PDK-së, unë nuk mund ta jap votën për PDK-në”, ka deklaruar Smajlaj.

Sipas tij, arsyeja lidhet me “jokonstruktivitetin politik” dhe mënyrën se si, sipas tij, janë trajtuar Fatmir Limaj dhe persona të tjerë që kanë kontribuar për vendin.

Smajlaj ka theksuar se politika duhet të ketë më shumë respekt dhe vlerësim për njerëzit që kanë dhënë kontribut për Kosovën, pavarësisht dallimeve politike.

“Vota ime do të mbetet aty ku ndjej bindje, respekt dhe origjinalitet”, ka përfunduar ai. /Kosova.info/

Go to TOP