Haziri: LDK e bashkuar do ta rikthejë besën dhe shpresën për Kosovën
Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i degës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se në Gjilan është zhvilluar takimi i tretë i Shtabit të Madh të LDK-së, ku u diskutua për organizimin dhe bashkimin e partisë për sfidat e ardhshme politike.
Haziri tha se LDK po punon për një rikthim të fuqishëm politik, duke theksuar se vetëm një LDK e bashkuar mund ta rikthejë “besën dhe shpresën” për qytetarët e Kosovës.
“Rugovistët, të djathtit dhe besimtarët e Republikës kudo që janë, duhet të bashkohen”, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se synimi është largimi i, siç u shpreh ai, “atributeve më të këqija që iu sollën vendit në gjashtë vitet e fundit”.
Ai theksoi se rruga politike e LDK-së do të ndërtohet bashkë me rininë, gratë dhe bashkatdhetarët, të cilët i quajti kontribuuesit më të mëdhenj të Republikës së Kosovës.
Sipas Hazirit, LDK do të vazhdojë të funksionojë mbi parimin e përfshirjes dhe politikave të përbashkëta, me fokus rikthimin e besimit dhe shpresës për të ardhmen e vendit. /Kosova.info/
