Prishtina pritet të presë “AI+ Expo” në nëntor – ngjarje globale e inteligjencës artificiale dhe inovacionit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti i Kosovës do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, AI+ Expo, që pritet të mbahet në muajin nëntor.
Ky event, i cili organizohet nga Special Competitive Studies Project (SCSP), është një platformë globale ku mblidhen kompani dhe institucione udhëheqëse në botë si OpenAI, Google, NVIDIA, Anthropic dhe Palantir Technologies, si dhe përfaqësues të institucioneve amerikane, përfshirë Pentagonin, akademikë dhe ekspertë të teknologjisë.
Sipas organizatorëve dhe përfaqësuesve lokalë, pjesëmarrja e Prishtinës në këtë rrjet global synon të fuqizojë rolin e qytetit në ekosistemin e inovacionit dhe teknologjisë duke e vendosur atë në hartën e qendrave që diskutojnë dhe formësojnë të ardhmen e inteligjencës artificiale.
Ngjarja pritet të sjellë në Prishtinë liderë globalë të industrisë, investitorë dhe studiues duke krijuar mundësi për bashkëpunime ndërkombëtare dhe zhvillim të sektorit teknologjik në Kosovë.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces po e luan edhe strategu shqiptaro-amerikan Ylli Bajraktari, i cili udhëheq SCSP dhe është i angazhuar në zhvillimin e politikave globale për inteligjencën artificiale dhe sigurinë teknologjike.
Organizimi i këtij eventi në Prishtinë shihet si një hap i rëndësishëm drejt afirmimit të qytetit si qendër rajonale e inovacionit dhe teknologjisë. /Kosova.info/
