Ministri Gashani dhe Hasan Arat diskutojnë rrugën drejt Lojërave Mesdhetare 2030
Ministri i Sportit dhe i Rinisë, Blerim Gashani, priti sot në takim Hasan Arat, anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Evropian, ish-presidentin e klubit të njohur turk Beşiktaş dhe një mik të dëshmuar të Kosovës, i cili ndër vite ka qenë një zë i fuqishëm mbështetës për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Arat ishte i shoqëruar nga presidenti i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.
Kosova i është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen dhe afërsinë e vazhdueshme që ai ka treguar ndaj popullit tonë ndër vite, si dhe për kontributin e tij të rëndësishëm në përzgjedhjen e Kosovës si organizatore e Lojërave Mesdhetare 2030, duke ndihmuar njëkohësisht edhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë përmes sportit dhe bashkëpunimit institucional.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushën e sportit, si dhe për projekte që mund të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të sportit në vendin tonë, me fokus të veçantë te të rinjtë dhe sportistët tanë
Ministri Gashani shprehu bindjen se diskutimet dhe idetë e ndara gjatë këtij takimi do të shndërrohen në bashkëpunime dhe projekte konkrete në muajt në vijim, në të mirë të zhvillimit të sportit dhe perspektivës së sportistëve të Kosovës. /Kosova.info/
