UGSh kundër vendimit të Policisë së Shtetit për kufizimin e komunikimeve ditore: Cenon lirinë e informimit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSh) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për ndryshimin e praktikës së komunikimit ditor me mediat, duke e cilësuar atë si një hap që kufizon lirinë e informimit dhe transparencën publike.

Sipas UGSh-së, urdhri i ri i komunikuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, që parashikon reduktimin e komunikatave ditore dhe kalimin drejt një forme më të centralizuar e periodike informimi, “cenon praktikën shumëvjeçare të informimit të përditshëm” dhe krijon pengesa për gazetarët, veçanërisht ata të kronikës.

Në deklaratë, UGSh thekson se pretendimi se masa synon “transparencë më cilësore” nuk justifikon, sipas tyre, kufizimin e aksesit të shpejtë në informacion publik dhe as rolin e mediave në verifikimin dhe interpretimin e lajmit. Po ashtu, organizata kundërshton idenë që policia të ndikojë në mënyrën e filtrimit të informacionit për të shmangur “perceptime negative në shoqëri”.

UGSh kërkon pezullimin e vendimit dhe hapjen e një tryeze konsultimi me komunitetin e gazetarëve dhe organizatat mediatike, me qëllim gjetjen e një modeli që ruan transparencën pa kufizuar informimin publik.

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e ka mbrojtur vendimin, duke deklaruar se ndryshimi nuk përbën tërheqje nga transparenca, por një “hap drejt informimit më të strukturuar dhe më të përgjegjshëm”.

Sipas tij, praktika e re synon të shmangë mbingarkesën me lajme kriminale të fragmentuara, të përmirësojë cilësinë e informacionit dhe të forcojë besimin e qytetarëve tek institucionet. Ai theksoi se do të vijojë informimi përmes statistikave mujore, komunikimeve në terren dhe konferencave periodike nga drejtoritë vendore.

Debati mes UGSh dhe Policisë së Shtetit pritet të vijojë në ditët në vijim, ndërsa komuniteti mediatik kërkon rishikim të vendimit dhe dialog institucional për mënyrën e re të komunikimit publik. /Kosova.info/


Go to TOP