Shqiponja e bënë hapin e parë drejt finales
Shqiponja e ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Shqiponja e mposhti Istogun në gjysmëfinalen e parë të plejofit, të shtunën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Tani skuadrës gjakovare i duhet edhe një fitore për avancim në finale.
Ndeshja e dytë luhet mesjavën e ardhshme në Banjë, ndërsa ndeshja e tretë eventuale pas një jave në Gjakovë.
Shqiponja e fitoi me rezultat 25:21 ndeshjen që e dominoi nga fillimi e deri në fund.
Që në minutën e dhjetë gjakovaret u shkëputën në 7:3. Istogu ia doli të barazoi, por pa kaluar në epërsi. Pjesa e parë përfundoi 12:11 për Shqiponjën.
Në pjesën e dytë, Shqiponja shpejt u shkëput në 17:12 dhe më pas mbajti epërsi deri në fund.
Nathalia Fontana udhëhoqi Shqiponjën me nëntë gola. Tetë i shënoi Alma Nivokazi e shtatë Juleidt Lourençao.
Me shumë pritje u dallua edhe Thayline Queiroz.
Tek Istogu, Joneide Olikaka i realizoi nëntë gola. Pesë i kishte Destinee Benie. /Kosova.info/
