Hoffenheim i tre kosovarëve humb rastin e madh për vendin e katërt
Hoffenheim ka humbur një mundësi të madhe në garën për vendin e katërt në Bundesliga, pasi ka barazuar 3:3 ndaj Stuttgart, edhe pse ka pasur epërsi 3:1 dhe ka luajtur ndaj një kundërshtari të mbetur me dhjetë futbollistë.
Te Hoffenheim luajnë tre futbollistët e Kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albin Hajdari.
Skuadra vendase ka kaluar në epërsi që në minutën e tetë. Pas një aksioni të Fisnik Asllanit, topi ka shkuar te Andrej Kramaric, i cili ka shënuar për 1:0.
Stuttgart ka reaguar në minutën e njëzet, kur Ramon Hendriks ka realizuar për 1:1 pas një kundërsulmi të shpejtë.
Vetëm tre minuta më vonë, Bazoumana Toure e ka rikthyer epërsinë e Hoffenheim, duke shënuar për 2:1, rezultat me të cilin është mbyllur pjesa e parë.
Në fillim të pjesës së dytë, Kramaric ka shënuar golin e tij të dytë personal për 3:1, pas asistimit të Toure.
Megjithatë, mysafirët nuk janë dorëzuar. Ermedin Demirovic e ka ngushtuar rezultatin në 3:2 pas asistimit të Jamie Leweling.
Situata është vështirësuar edhe më shumë për Stuttgart kur kapiteni Atakan Karazor është ndëshkuar me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Asllanit.
Pavarësisht se ka luajtur me një lojtar më pak, Stuttgart ka arritur ta barazojë në sekondat e fundit. Tiago Tomas ka shënuar pas topit të kthyer dhe e ka vulosur rezultatin 3:3.
Pas këtij barazimi, të dy skuadrat mbeten vetëm tri pikë para Bayer Leverkusen në garën për zonën evropiane.
