Gërxhaliu: Sakrifica e Studimes së Ulët të kthehet në veprim, jo vetëm kujtim
Në përkujtim të familjeve të martirëve të Masakrës së 2 Majit 1999, Diellza Gërxhaliu kërkoi që sakrifica e Studimes së Ulët të mos mbetet vetëm në kujtesë, por të shndërrohet në angazhim konkret institucional.
Ajo tha se Studimja e Ulët mbetet një nga plagët më të rënda të historisë së Kosovës, ku 116 civilë të pafajshëm, gra, pleq dhe fëmijë, u vranë barbarisht nga forcat paramilitare serbe.
“Studimja e Ulët është Reçaku i dytë i Kosovës. Është vendi ku dhimbja nuk harrohet kurrë, por edhe vendi ku sakrifica kërkon drejtësi dhe dinjitet”, u shpreh ajo.
Gërxhaliu ngriti shqetësimin se edhe pas më shumë se dy dekadash nga lufta, ky fshat vazhdon të mbetet i harruar duke u përballur me mungesë infrastrukture bazike, rrugë, kanalizim dhe ndriçim.
Sipas saj, nderimi për të rënët nuk bëhet vetëm me përvjetorë dhe fjalime, por me kujdes ndaj të gjallëve dhe investime konkrete për vendin që dha aq shumë për lirinë e Kosovës.
Në fund, ajo kërkoi trajtim të barabartë, zhvillim dhe dinjitet për Studimen e Ulët duke theksuar se sakrifica e këtij fshati duhet të jetë thirrje për veprim. /Kosova.info/
