Kriza politike dhe shkuarja në zgjedhje po godasin ekonominë

Kriza politike në vend dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi. 

Kështu u tha në takimin e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me komunitetin e biznesit. 

Kryetari i Bordit, Skender Krasniqi dhe Kryetari i Kuvendit të DHTIK-së, Hamdi Malushaj,

theksuan se përkundër sfidave të shumta me të cilat u përball Kosova që nga fillimi i vitit të kaluar, Dhoma ka qenë vazhdimisht aktive në adresimin e sukseseve dhe problemeve të sektorit privat. 

Nga ana tjetër, drejtori Ekzekutiv, Kushtrim Ahmeti, theksoi se zgjedhjet e shpeshta po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë. 

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”. 

Përfaqësues të bizneseve shpalosën sfidat me të cilat po përballen duke përfshirë rritjen e kostove të prodhimit, importin e madh, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat e shumta në vendimmarrje. 

Ata nënvizuan rolin e DHTIK-së si një zë i fuqishëm i bizneseve duke lobuar për zgjidhje konkrete, propozuar politika lehtësuese, si dhe duke ndërmjetësuar komunikimin ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat. 

Në takim u potencua edhe rëndësia e krijimit të një stabiliteti politik si parakusht për zhvillim ekonomik, si dhe nevoja për vendime të shpejta dhe të qëndrueshme. 

Të pranishmit u dakorduan që të intensifikohet komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë, me qëllim të adresimit më efektiv të sfidave dhe mbrojtjes së interesave të komunitetit të biznesit në këtë periudhë sfiduese. /Kosova.info/


Go to TOP