Mësimdhënësi Bali Haxhiu sjell monografinë për shkollën “Idriz Barani” në Klinë të Epërme
Mësimdhënësi Bali Haxhiu ka njoftuar se së shpejti do të dalë në dritë libri i tij më i ri, monografia kushtuar Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Idriz Barani” në Klinë të Epërme të Skënderajt.
Sipas autorit, ky botim prej rreth 300 faqesh, i ndarë në 10 kapituj, paraqet historinë, rrugëtimin dhe kontributin e shkollës ndër breza, duke përmbledhur kujtime, sakrifica dhe arritje të mësuesve, nxënësve dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut në zhvillimin e saj.
Në libër pasqyrohet roli i shkollës si institucion arsimor, kulturor dhe edukativ, si dhe jeta shoqërore e komunitetit në Klinë të Epërme dhe paralelet e ndara në Tërnavc, Kotorr, Kuçicë dhe Klinë e Mesme.
Haxhiu theksoi se ky botim është homazh për gjeneratat që punuan në kushte të vështira për arsimin shqip, por edhe thirrje për brezat e rinj që të ruajnë traditën, dijen dhe vlerat kulturore. /Kosova.info/
