Besa Famgas fiton bindshëm para plejofit

Besa Famgas e ka fituar bindshëm ndeshjen e mbetur me Prishtinën.

Ndeshja e mbetur e xhiros së 26-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve, u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Skuadra pejane fitoi me rezultat 42:30.

Ishte kjo ndeshja e fundit për Besa Famgasin para se ta fillojë garën në plejof. Në garat shtesë, Besa fillon nga pozita e tretë. Në 28 ndeshje i mblodhi 43 pikë.

Gjysmëfinalen e parë, skuadra pejane e luan të dielën prej orës 18:00 në “Mizahir Isma” ndaj kampionit aktual, Rahovecit.

Ndërkohë Prishtina është e shtata, përkatësisht e parafundit me 17 pikë, një më pak se Trepça e vendit të gjashtë.

Ka mbetur të luhet edhe ndeshja e xhiros së 28-të mes Trepçës e Prishtinës që do të vendosë se cila prej këtyre skuadrave do të mbetet e parafundit dhe do të luajë në plejaut.

Besa Famgasin drejt fitores e udhëhoqi Elion Vokshi me dhjetë gola. Gjashtë i realizoi Mohamed Yassin.

Te Prishtina, Enis Kuleta i shënoi 12 gola. Gjashtë i shtoi Egzon Ademi. /Kosova.info/

Go to TOP