Musliu akuzon Muratin: 200 milionë euro s’janë të qeverisë, por të qytetarëve
Deputetja e Ganimete Musliu ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e akuzuar qeverinë për keqpërdorim të rishikimit të buxhetit me qëllime elektorale.
Sipas Musliut, nuk është opozita ajo që ka penguar ndihmën për qytetarët, por qeveria që, siç thotë ajo, ka tentuar ta paraqesë një “manovër elektorale” si paketë sociale. Ajo thekson se nëse do të kishte pasur vullnet real për përballimin e inflacionit, masat do të ishin ndërmarrë më herët, me transparencë dhe përmes procedurave të rregullta.
“Rishikimi i buxhetit nuk është mjet propagande dhe nuk përdoret për të blerë mbështetje politike,” deklaroi Musliu duke shtuar se opozita nuk kundërshton ndihmën për qytetarët, por keqpërdorimin e parasë publike.
Ajo theksoi se 200 milionë euro janë para të qytetarëve dhe kërkoi përgjegjësi nga qeveria për mungesën e masave të hershme kundër inflacionit duke ngritur dyshime se veprimet aktuale lidhen me afrimin e zgjedhjeve.
Në fund, Musliu u shpreh se qytetarët kanë nevojë për politika serioze dhe jo, siç tha ajo, “improvizime të minutës së fundit”. /Kosova.info/
