Reagime pas ftesës së VV-së për Presidentin: Shenoll Muharremi e quan “lojë fajësimi”, Besnik Krasniqi “moment prove”
Ftesa e Lëvizja Vetëvendosje drejtuar Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për të propozuar tre emra konsensual për Presidentin e vendit ka nxitur reagime të menjëhershme në opinionin publik
Analisti Shenoll Muharremi e ka kritikuar këtë nismë duke e cilësuar si të vonuar dhe jo serioze. Sipas tij, një propozim i tillë do të duhej të ishte bërë muaj më parë, gjatë procesit dhe para skadimit të afateve, e jo tani kur, siç thekson ai, është e pamundur të realizohet brenda një kohe të shkurtër. Muharremi vlerëson se kërkesa ndaj opozitës për të ofruar tre emra brenda pak ditësh është e parealizueshme dhe synon më shumë zhvendosjen e fajit sesa zgjidhjen e situatës.
Ai gjithashtu ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe VV-në për, siç thotë, strategji të qëllimshme për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja dhe për të prodhuar kriza politike të vazhdueshme.
Në anën tjetër, gazetari Besnik Krasniqi e ka cilësuar këtë situatë si një “moment prove” për opozitën. Ai thekson se për herë të parë shumica parlamentare po ia ofron opozitës postin e Presidentit duke i dhënë mundësinë që të propozojë kandidatë dhe të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit institucional.
Sipas Krasniqit, nëse opozita pranon këtë ofertë dhe vepron shpejt, vendi mund të ketë President të ri brenda pak ditësh. Në të kundërtën, ai paralajmëron se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Debati rreth kësaj ftese ka thelluar ndarjet politike, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë konsensus apo vendi do të përballet me një tjetër proces zgjedhor. /Kosova.info/
