Dushi: Prishtina përgatitet për fluksin e turistëve, thellohet bashkëpunimi me sektorin e hotelerisë
Nënkryetari i Prishtina, Florian Dushi, ka pritur sot në takim kryetarin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, së bashku me përfaqësues të kësaj ode në kryeqytet.
Në takim morën pjesë edhe kryetari i OHT-së për Prishtinë, Labinot Ademi, si dhe nënkryetari Shpend Krasniqi.
Gjatë diskutimeve u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për përgatitjen e kryeqytetit për sezonin turistik që po afron. Sipas Dushit, Prishtina pritet të përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve, përfshirë turistë të huaj dhe bashkatdhetarë.
Ai vlerësoi se koordinimi ndërmjet institucioneve dhe sektorit të hotelerisë dhe turizmit është thelbësor për të garantuar shërbime cilësore dhe një përvojë të kënaqshme për vizitorët.
“Në fokusin tonë mbetet një kryeqytet i organizuar, mikpritës dhe dinjitoz për çdo vizitor”, ka theksuar Dushi. /Kosova.info/
