Bayerni eliminon Leverkusenin, kalon në finalen e Kupës së Gjermanisë

Bayern Munich është kualifikuar në finalen e madhe të Kupës së Gjermanisë, pasi mposhti me rezultat 2-0 Bayer Leverkusen në gjysmëfinale.

Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany dominoi pjesën më të madhe të takimit dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 20-të. Pas një aksioni të bukur nga krahu i djathtë, Jamal Musiala asistoi për Harry Kane, i cili realizoi me saktësi për 1-0.

Bavarezët vazhduan me presionin edhe në pjesën e parë, duke krijuar disa raste të mira përmes Joshua Kimmich dhe Michael Olise, ndërsa Kane ishte pranë golit të dytë, por tentativa e tij shkoi pak mbi portë.

Në pjesën e dytë, Leverkuseni tentoi të reagojë, me Nathan Tella që rrezikoi seriozisht, por u ndal nga një pritje spektakolare e portierit Manuel Neuer. Në anën tjetër, portieri Mark Flekken mbajti në lojë ekipin e tij me disa ndërhyrje vendimtare.

Kur Leverkuseni po kërkonte golin e barazimit në minutat e fundit, Bayern goditi në kundërsulm. Leon Goretzka asistoi për Luis Díaz, i cili vulosi fitoren me një realizim të bukur për 2-0.

Me këtë triumf, Bayern – që tashmë ka siguruar titullin në Bundesliga, mban gjallë ambiciet për tripletë. Në finalen e Kupës së Gjermanisë do të përballet me fituesin e duelit mes VfB Stuttgart dhe SC Freiburg.


Go to TOP