Berisha: Vendimi për rastin e Liridona Ademajt është i trupit gjykues, jo i individit

Avokati Besnik Berisha ka reaguar pas vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe me 30 vite burgim ndaj Kushtrim Kukallës duke theksuar se meritat për këtë rast nuk i takojnë një individi të vetëm.

Sipas tij, vendimi është rezultat i një trupi gjykues prej tre gjyqtarësh dhe i një procesi të gjerë institucional, që përfshin hetimet policore dhe punën e prokurorisë.

Berisha vlerësoi lart rolin e zyrtarëve policorë, të cilët, siç tha ai, në kohë rekord arritën të zbardhin skemën kriminale duke identifikuar planin, autorët dhe motivin e rastit. Po ashtu, ai theksoi se prokuroria ka ndërtuar një bazë të fortë provash që orientoi drejtësinë drejt këtij vendimi.

“Drejtësia nuk është individuale. Është proces dhe kërkon që meritat të ndahen aty ku u takojnë”, ka theksuar Berisha.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për të gjithë akterët e përfshirë në këtë çështje duke përfshirë familjen e të ndjerës për qëndrueshmërinë, institucionet për angazhimin dhe profesionistët që mbajtën përgjegjësinë deri në fund.

Megjithatë, ai rikujtoi se të akuzuarit vazhdojnë të prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë. /Kosova.info/

Go to TOP