FMN alarmon: Kosova mbetet ndër vendet më të varfra në Evropë edhe në vitin 2030

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim pas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave Kosova edhe në vitin 2030 do të vazhdojë të renditet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Evropë.

Sipas AKB-së, këto parashikime janë serioze dhe tregojnë se rritja ekonomike aktuale nuk po përkthehet në mirëqenie reale për qytetarët. Organizata thekson se ekonomia e vendit vazhdon të mbështetet kryesisht në konsum dhe remitenca, ndërsa investimet produktive dhe mbështetja për bizneset vendore mbeten të pamjaftueshme.

AKB i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës për ndryshim urgjent të politikave ekonomike, duke kërkuar rritje të investimeve kapitale, mbështetje për prodhimin vendor dhe eksportin, si dhe përmirësim të klimës së të bërit biznes.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se parashikimet e FMN-së duhet të shërbejnë si alarm serioz për institucionet, duke theksuar se pa reforma të thella dhe mbështetje për sektorin privat, Kosova rrezikon të mbetet në fund të Evropës edhe pas vitit 2030.

Go to TOP