Arben Gashi: Nuk jam pjesë e Kryesisë së re të LDK-së, partia ka nevojë për cikël të ri

Isha anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar publikisht pas shpalljes së kryesisë së re të duke sqaruar se nuk është pjesë e saj.

Përmes një deklarate drejtuar përkrahësve dhe qytetarëve, Gashi bëri të ditur se ka pranuar shumë reagime pas publikimit të përbërjes së re duke e parë të nevojshme të sqarojë pozicionin e tij.

Ai theksoi se që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 ka ngritur vazhdimisht shqetësime brenda partisë për gjendjen e brendshme dhe humbjen e besimit duke propozuar edhe hapa konkretë për reforma dhe riorganizim. Sipas tij, këto propozime nuk kanë gjetur mbështetje në votim, ndonëse janë pranuar në nivel deklarativ.

Gashi u shpreh se ka qenë kundër përjashtimeve dhe ka kërkuar unitet brenda LDK-së duke theksuar se një parti që synon të udhëheqë duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten.

Ai rikujtoi se edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 ka paraqitur analiza dhe alternativa për dalje nga kriza, por është zgjedhur një drejtim tjetër politik.

Sipas tij, hendeku mes LDK-së dhe votuesve është rezultat i mungesës së guximit për ndryshim në kohë duke shtuar se partisë i duhet një cikël i ri me lidership dhe energji të re.

Në fund, Gashi theksoi se do të vazhdojë angazhimin e tij në politikë duke qëndruar “në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës”, ndërsa ngriti pikëpyetje nëse LDK-ja do ta gjejë forcën për të reflektuar dhe për t’u reformuar. /Kosova.info/

Go to TOP