Barcelona shkatërron Espanyolin, hap gjigant drejt titullit
Barcelona ka shfrytëzuar në maksimum hapin fals të Real Madrid, duke mposhtur bindshëm 4-1 rivalin lokal Espanyol dhe duke u shkëputur me nëntë pikë në krye të La Liga.
Pas barazimit të Realit ndaj Girona, katalanasit dominuan plotësisht derbin në “Camp Nou”, duke mos i lënë pothuajse asnjë hapësirë kundërshtarit që në minutat e para.
Protagonisti i ndeshjes ishte Ferran Torres, i cili zhbllokoi rezultatin pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga talenti Lamine Yamal. Sulmuesi spanjoll dyfishoi shifrat pas një asisti spektakolar nga i njëjti lojtar, duke i dhënë Barcelonës kontroll total të sfidës.
Pavarësisht dominimit të theksuar të vendasve, me posedim që arriti deri në 85%, portieri Marko Dmitrovic mbajti në lojë Espanyolin me disa pritje vendimtare në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, miqtë tentuan të riktheheshin në lojë falë një supergoli nga Pol Lozano, që ngushtoi përkohësisht diferencën.
Megjithatë, reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm. Lamine Yamal gjeti rrugën e rrjetës pas një aksioni të shpejtë, ndërsa në fund edhe Marcus Rashford vulosi rezultatin 4-1, duke i dhënë shkëlqim fitores së thellë.
Me këtë sukses, Barcelona jo vetëm që forcon pozitat në krye, por edhe zgjat serinë pozitive ndaj rivalëve lokalë në 30 ndeshje pa humbje.
Në krahun tjetër, Espanyoli thellon krizën, duke mbetur pa fitore në 14 ndeshjet e fundit në kampionat.
Pas kësaj fitore, Barcelona ka 79 pikë në krye të tabelës, nëntë më shumë së ndjekësi Real Madridi, kurse, Espanyol është e dhjeta me 38 sosh.
