Aksident i rëndë në Gjilan, një i vdekur dhe dy të lënduar

Një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur të premten mbrëma në Gjilan.

Sipas Policisë së Kosovës,  rreth orës 19:39 është pranuar një informatë për një aksident me lëndime në fshatin Livoç i Ulët, në komunën e Gjilanit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e ndihmës së parë, Njësia e Trafikut Rajonal dhe hetuesit e aksidenteve.

“Nga hetimet e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshira dy motoçikleta, ndërsa si pasojë e përplasjes tre persona kanë pësuar lëndime.Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan, ku sipas mjekëve njëri prej tyre është sjellë pa shenja jete”, tha  për RTKlive zëdhënësi, Ismet Hashani.

Dy të lënduarit e tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ku njëri është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ndërsa tjetri po vazhdon trajtimin në spitalin e Gjilanit.

Ai bëri të ditur se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitë e trafikut rajonal janë duke hetuar rrethanat që kanë çuar deri te ky aksident i rëndë.


Go to TOP