Fokusi i Kombëtares kthehet te ndeshja e fundit e ciklit eliminator

Pas ndeshjes ndaj Francës, të zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, hendbollistet e Kombëtares së Kosovës e kanë kthyer fokusin te ndeshja e fundit e fazës së dytë eliminatore për Euro 2026.

Të dielën prej orës 18:00 në Zagreb është ndeshja Kroacia – Kosova.

Menjëherë të premten hendbollistet dhe shtabi teknik u janë kthyer obligimeve për ndeshjen e fundit të këtij cikli eliminator.

Në ndeshjen ndaj francezeve ka pasur periudha pozitive nga lojtaret e reja, ndërsa shpresohet që ato të jenë më të shumta e më të gjata të dielën ndaj Kroacisë.

Në natën mes të premtes e të shtunës është udhëtimi për në Zagreb, ndërsa me stërvitje vazhdohet të shtunën pasdite në kryeqendrën kroate.

Të kujtojmë që Kombëtarja përbëhet kryesisht nga lojtare të reja, shumica prej tyre të klubeve të vendit. Për dallim nga ndeshjet e kaluara, në Kombëtare janë mbi gjysma e lojtareve të reja, shumë prej tyre debutuese.

Përvoja në këtë cikël eliminator do të jetë me shumë vlerë për karrierën e hendbollisteve tona. /Kosova.info/


Go to TOP