Kusari-Lila: Stabilizimi i çmimit të naftës do të vazhdojë në ditët në vijim
Në ditët në vijim pritet të vazhdojë stabilizimi i çmimit të naftës, ka deklaruar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, pas marrëveshjes për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Ajo tha se mekanizmi ekzistues për përcaktimin e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve nuk do të lejojë tejkalimin e normave të përcaktuara.
“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim, dhe kjo do të varet nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta, ndoshta jo në nivel 100%, ka pasur lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mosndikim të sasisë apo të çmimit në bursën ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë. Por duhet më shumë se një ditë që të përcaktohet saktë nëse kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo shtoi se, në rrethanat aktuale, po shqyrtohen mundësitë e ndërhyrjes në sektorin e transportit dhe atë të bujqësisë.
“Në situatën që jemi, konsiderojmë se është siguruar mbarëvajtja e sektorit dhe çmimet nuk kanë shkuar në ekstreme, përkundër lëvizjeve në bursat ndërkombëtare. Po shqyrtojmë mundësinë e ndërhyrjes në sektorin e transportit dhe të bujqësisë si dy sektorë që prekin kategoritë më të ndjeshme, ndërsa për sektorët e tjerë që kanë mundësi operimi pa ndërprerje, kjo çështje mbetet për t’u parë në një rrethanë tjetër”, deklaroi ajo.
Ndryshe, për datën 8 prill çmimet maksimale të lejuara janë si në vijim: Nafta (dizel) 1.89 litër, benzina 1.46 euro /litër Gas: 0.77 euro/litër.
