Papa Leo kritikon Trumpin për kërcënimet ndaj Iranit
Papa Leo ka kritikuar Donald Trump për kërcënimet e tij ekzistenciale ndaj Iranit, disa orë para skadimit të afatit të vendosur nga presidenti amerikan.
“Sot, siç e dimë të gjithë, pati këtë kërcënim ndaj gjithë popullit të Iranit. Kjo është vërtet e papranueshme,” tha ai teksa largohej nga rezidenca e tij verore në Castel Gandolfo, Itali, në jug të Romës.
Papa Leo, kreu i Kishës Katolike në botë, i referohej një postimi të Trumpit ku ai kishte thënë se “një civilizim i tërë do të vdesë” nëse Irani nuk hap Ngushticën e Hormuzit.
Papa Leo, i cili është shfaqur si një kritik i hapur i luftës me Iranin, u bëri thirrje njerëzve në mbarë botën që të kontaktojnë përfaqësuesit e tyre politikë dhe t’u kërkojnë atyre t’i japin fund konfliktit rajonal që po zgjerohet.
Më herët gjatë ditës, Konferenca e Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së publikoi një deklaratë ku i bëhej thirrje Trumpit të “tërhiqet nga pragu i luftës dhe të negociojë një zgjidhje të drejtë në emër të paqes”.
