Prishtina e fiton ndeshjen dramatike me Llapin
Prishtina e ka fituar ndeshjen më të rëndësishme të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë, Prishtina e mposhti Llapin me rezultat 36:35.
Ndeshja ishte dramatike dhe plotësisht e hapur deri në aksionet e fundit.
Në pjesën e parë të dy skuadrat i kishin momentet e tyre, por loja kryesisht ishte e barabartë. Në pjesën e dytë prishtinasit u shkëputën deri në katër gola, por llapjanët u përgjigjën për të barazuar shumë herë. Në minutën e 57-të rezultati ishte 34:34. Më pas skuadra vendase shënoi për 35:34 dhe 36:34. Dhe në minutën e fundit Llapi ngushtoi në 36:35, por pa ia dalë të barazoi më.
Enis Kuleta i shënoi 16 gola për Prishtinën, ndërsa Albi Gjuka i shtoi shtatë. Te Llapi u dalluia Cristiam Machado me 10 gola.
Llapi mbetet i katërti me 21 pikë, një më shumë se Vëllaznimi që mban vendin e pestë.
Prishtina mbetet e parafundit me 15 pikë. Tani e ka vetëm një pikë më pak se Trepça e vendit të gjashtë.
Po të dielën, Rahoveci fitoi 51:34 ndaj Vëllaznimit.
Ardit Tafilaj e Granit Kadiri i shënuan nga tetë gola për kampionin në fuqi.
Florian Rexha e David Frrokaj i kishin po ashtu nga tetë gola për ekipin gjakovar.
Rahoveci është i dyti me 43 pikë. /Kosova.info/
