KEDS: Ndërrimi i njehsorëve proces i rregullt, pa lidhje me pretendimet në opinion

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka bërë të ditur se ndërrimi i njehsorëve dhe aktivitetet tjera operative janë procese të rregullta që zhvillohen në vazhdimësi, përfshirë edhe ditët e shtuna, dhe nuk lidhen vetëm me periudhën e fundit.

Sipas KEDS-it, këto procese realizohen në përputhje me planin e investimeve të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me qëllim përmbushjen e planit vjetor për zëvendësimin e njehsorëve dhe avancimin e digjitalizimit të sistemit matës.

“Këto aktivitete zbatohen nga ekipet tona dhe kontraktorët e angazhuar duke garantuar funksionim të saktë dhe modern të matjes së energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.

KEDS ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që po qarkullojnë në opinion publik duke shtuar se ky proces do të vazhdojë në mënyrë të rregullt sipas planifikimeve.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, e  Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë është duke kryer verifikimet përkatëse, ku sipas tyre, njehsorët matin saktë konsumin e energjisë elektrike, ndërsa devijimet eventuale mund të lidhen vetëm me datën dhe kohën e matjes.

KEDS u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që për çdo paqartësi apo dyshim të drejtohen në zyrat e KESCO-s për verifikimin e njehsorëve të tyre.

Në fund, kompania ka ritheksuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, korrektësisë dhe informimit të drejtë për qytetarët. /Kosova.info/

Go to TOP