Simeone dhe Flick dënojnë racizmin para përballjes Atletico – Barcelona

Ngjarjet e ndodhura në miqësoren mes Spanjës dhe Egjiptit, ku tifozët vendas kanë kënduar kore raciste ndaj ekipit mysafir, kanë marrë vëmendje të madhe para ndeshjes mes Atletico Madrid dhe Barcelonës.

Në konferencën për shtyp para takimit që zhvillohet të shtunën në orën 21:00, trajneri i Atletico, Diego Simeone, e ka cilësuar këtë fenomen si një problem më të gjerë shoqëror.

“Kjo është një çështje globale, nuk i përket vetëm një vendi. Sot ka humbur respekti”, ka deklaruar Simeone.

Ai ka shtuar se vlerat që dikur ekzistonin në shoqëri, si respekti ndaj prindërve, mësuesve apo trajnerëve, janë zbehur dhe se të gjithë duhet të punojnë për përmirësim.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, i cili e ka dënuar ashpër racizmin.

“Ajo që ndodhi ishte zhgënjyese. Janë një grup i vogël njerëzish që nuk kuptojnë rëndësinë e respektit. Racizmi nuk ka vend në stadiume dhe as në jetë”, ka thënë Flick.

Ai ka theksuar se futbolli duhet të jetë një hapësirë për përfshirje dhe respekt për të gjithë, pa dallim ngjyre, race apo feje, duke bërë thirrje për reflektim dhe ndryshim të mentalitetit.


Go to TOP