Rregulla të reja për ndërtimin në Kryeqytet: përgjegjësi më e madhe për inxhinierët dhe kompanitë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar masa të reja për vendosjen e rendit në sektorin e ndërtimit, në bashkëpunim me Oda e Inxhinierëve. Këto masa synojnë të eliminojnë improvizimet dhe të garantojnë ndërtim të sigurt dhe profesional në çdo fazë të projektit.

Sipas njoftimit, çdo projekt ndërtimor duhet të hartohet dhe të nënshkruhet nga inxhinierë të licencuar, të cilët mbajnë përgjegjësi për përputhshmërinë teknike, sigurinë strukturore dhe respektimin e standardeve ligjore. Dokumentacioni projektues duhet të jetë i plotë dhe i koordinuar duke shmangur ndryshimet në terren.

Në fazën e ndërtimit, kompanitë obligohen të angazhojnë mbikëqyrës të licencuar dhe udhëheqës të vendndërtimit për secilin projekt duke ndaluar mbulimin e disa punishteve nga i njëjti inxhinier. Po ashtu, kërkohet mbikëqyrje e pavarur profesionale nga ekipe të jashtme për të siguruar kontroll të vazhdueshëm deri në pranimin teknik.

Angazhimi i inxhinierëve të licencuar është bërë gjithashtu kusht i domosdoshëm për pjesëmarrje në tenderë dhe realizimin e projekteve publike.

Autoritetet paralajmërojnë se mosrespektimi i këtyre rregullave do të sjellë masa ndaj kompanive, por edhe përgjegjësi individuale për inxhinierët. Oda e Inxhinierëve do të ketë rol aktiv në trajtimin e shkeljeve, përfshirë edhe mundësinë e revokimit të licencave në rastet kur rrezikohet siguria publike. /Kosova.info/


Go to TOP