Prishtina – Llapi, ndeshja më e rëndësishme e xhiros

Prishtina – Llapi vlerësohet ndeshja më e rëndësishme e xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.

Kjo ndeshje zhvillohet të dielën nga ora 17:30 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ndërsa pikët janë të rëndësishme për të dy skuadrat. Llapi së fundi doli në vendin e katërt me 21 pikë dhe synon ta mbajë atë pozitë që dërgon në plejof. Vëllaznimi është në vendin e pestë me 20 pikë.

Ndërkohë Prishtina i ka 13 pikë në vendin e parafundit. Synon të dal në vendin e gjashtë dhe kështu ta shmang plejautin. E gjashta është Trepça me 16 pikë.

Të dielën prej orës 18:00 luhet takimi Rahoveci – Vëllaznimi.

Dy ndeshje të tjera janë të shtunën. Vushtrria e Besa Famgas takohen nga ora 20:00, ndërsa në termin të njëjtë është edhe takimi Kastrioti – Trepça.

Kastrioti është lider me 44 pikë. Rahoveci i ka 41 pikë në vendin e dytë, ndërsa Besa Famgas renditet e treta me 35 pikë.

Liga e Parë vazhdon me xhiron e 11-të. Të shtunën prej orës 18:00 takohen Deçani e Drita. Të dielën janë dy ndeshje të tjera: Istogu – Ulpiana (15:00, Deçan), Prizreni – Drenica (18:30). /Kosova.info/


Go to TOP