Shqipëria mbështet koordinimin ndërkombëtar për Ngushticën e Hormuzit
Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë sot në një takim virtual të nivelit të lartë, të organizuar nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper. Takimi bashkoi homologë nga mbi 40 vende për të diskutuar krizën e shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, në kontekstin e konfliktit të vazhdueshëm në rajon.
Në një postim në platformën ‘X’, ministri Hoxha theksoi se diskutimet u fokusuan tek përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare – diplomatike, politike dhe të tjera – për të garantuar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare jetike. Ngushtica e Hormuzit është një arterie kyçe për transportin global të naftës dhe gazit, dhe mbyllja e saj sjell pasoja të rënda për sigurinë energjetike dhe stabilitetin ekonomik botëror.
“Diskutimet u fokusuan tek përpjekjet e koordinuara ndërkombëtare, përmes mjeteve diplomatike dhe politike, por jo vetëm, për të siguruar rihapjen e sigurt dhe të qëndrueshme të kësaj rruge detare kritike, e cila është jetike për sigurinë globale të energjisë dhe stabilitetin ekonomik. Uniteti, koordinimi dhe një qasje ndërkombëtare e bazuar në rregulla janë thelbësore. Liria e lundrimit është një parim themelor që duhet të respektohet”, shkruan Hoxha në rrjetin social ‘X’. /Kosova.info/
