Policia arreston të dyshuarin për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, lidhur me tjetërsim të paligjshëm të pronës

Policia e Kosovës, përmes Njësive të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka intervistuar sot, më 2 prill 2026, personin B.L. (1990) në cilësinë e të dyshuarit. Ai dyshohet se, së bashku me persona të tjerë, ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Sipas dyshimeve, të dyshuarit kanë falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese duke tjetërsuar në mënyrë të kundërligjshme një pronë me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në komunën e Ferizajt, me vlerë të tregut rreth 3 milion euro. Pas parcelizimit, prona dyshohet se është shitur personave të tretë.

Në bazë të urdhrit për kontroll, Policia ka bastisur një lokacion ku janë konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente të lidhura me rastin. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Ky rast vjen pas arrestimit më 19 shkurt 2026 të katër personave të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprave të njëjta në bashkëkryerje. Policia e Kosovës riafirmon përkushtimin e saj në luftimin e veprave penale dhe garantimin e sundimit të ligjit. /Kosova.info/


Go to TOP