MINTI zbulon devijime në njehsorët elektrikë dhe merr masa ndaj KEDS-it

Ministria e Industrisë, e Ndërmarrësisë, e Tregtisë dhe e Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa është duke vazhduar me intensitet të lartë. Ky proces po realizohet pas themelimit të një komisioni ad hoc, i cili po shqyrton rastet e paraqitura në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Sipas rezultateve të para nga verifikimi laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, janë identifikuar disa parregullsi, përfshirë faktin se një pjesë e njehsorëve kanë pasur afat të skaduar të vlefshmërisë. Po ashtu, janë vërejtur devijime kohore, ku data ka qenë 2–3 ditë jashtë sinkronizimit me kohën reale, ndërsa në disa raste është konstatuar edhe devijim prej 10–11 orësh.

Megjithatë, rezultatet tregojnë se matja e energjisë elektrike ka qenë e saktë dhe nuk ka ndikuar në regjistrimin e konsumit. Gjithashtu, është konfirmuar se bllombat e njehsorëve kanë qenë të paprekura dhe pa dëmtime.

Pas përfundimit të raportit përfundimtar, MINTI pritet t’i kërkojë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndërmarrjen e masave të nevojshme në përputhje me gjetjet. Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) do të shqiptojë gjoba ndaj KEDS-it për rastet që lidhen me përdorimin e njehsorëve me afat të skaduar.

Ministria ka bërë të ditur se deri më 30 mars 2026 nuk ishte regjistruar asnjë ankesë për njehsorët elektrikë. Por, pas krijimit të komisionit verifikues, vetëm në dy ditët e fundit janë pranuar 209 ankesa, të cilat aktualisht janë në proces shqyrtimi.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin ankesat e tyre përmes emailit zyrtar [email protected] duke ofruar të dhënat e nevojshme për një verifikim sa më të shpejtë dhe efikas. /Kosova.info/

Go to TOP