Nis verifikimi i ankesave të para për njehsorët elektrikë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë e Inovacionit ka bërë të ditur se Komisioni i posaçëm për trajtimin e ankesave të konsumatorëve për njehsorët elektrikë, sot gjatë ditës ka dalë në terren bashkë me Inspektoratin Qendror të Tregut. Kanë bërë të ditur se njehsorët, që janë vërejtur mospërputhje të kohës, janë tërhequr nga funksioni dhe janë dërguar për verifikim në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

“Rezultatet e verifikimeve të njehsorëve të parë pritet të dalin së shpejti dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t për këtë çështje.

Kjo ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që parashtrojnë ankesa në adresën elektronike [email protected], të bashkëngjisin numrin e telefonit dhe adresën e banimit, në mënyrë që verifikimi të realizohet në kohën më të shpejtë të mundshme.

Ndërkohë, më herët KEDS-i përmes një konference për media ka siguruar se të gjithë njehsorët e vendosur nga ta e bëjnë matjen e energjisë elektrike me saktësi.

Go to TOP