Shtëpia e Bardhë: Nuk ka ndryshim në politikën ndaj Kubës

Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka ndryshuar politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës, edhe pse një tanker rus i sanksionuar u lejua të dorëzojë karburant në ishull për arsye humanitare.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se vendimet e tilla do të merren rast pas rasti dhe se nuk përbëjnë një ndryshim formal të politikës së sanksioneve amerikane. 

Ajo shtoi se SHBA ende i rezervohet e drejta të konfiskojë anije që shkelin sanksionet kundër Kubës, nëse kjo është e aplikueshme sipas ligjit. Shtetet e Bashkuara kishin ndërprerë eksportet e naftës nga Venezuela pas ndryshimeve politike në atë vend, ndërsa presidenti Donald Trump kishte kërcënuar me tarifa vendet që dërgonin karburant në Kubë. 

Megjithatë, Trump së fundmi tha se nuk ka problem nëse ndonjë vend dërgon naftë në Kubë, për të ndihmuar popullin për nevoja humanitare.

Kuba ka përjetuar një krizë të thellë energjetike, pa marrë furnizime nafte për tre muaj, gjë që ka shkaktuar kufizime në karburant dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, duke rritur rrezikun për jetën e pacientëve me sëmundje serioze.

Rusia ka konfirmuar se një tanker me rreth 100,000 tonë naftë bruto ka mbërritur në Kuba, duke sjellë një lehtësim të pjesshëm për nevojat energjetike të ishullit. /Burimi: Reuters/


Go to TOP