Bajrami: Terminalet nuk janë shtetëzuar, fitimi vazhdon t’u shkojë kompanive private

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me çështjen e terminaleve doganore duke pretenduar se ato nuk janë shtetëzuar siç është prezantuar nga Qeveria. Sipas saj, ndonëse menaxhimi është marrë nga shteti, fitimet vazhdojnë të përfundojnë te kompanitë private

Bajrami theksoi se tashmë kompania publike Hekurani paguan qira ndaj operatorëve privatë nga buxheti i shtetit duke krijuar, sipas saj, një situatë ku barra financiare bie mbi qytetarët, ndërsa përfitimet mbeten në sektorin privat. Ajo shtoi se i vetmi ndryshim aktual është se në terminale punojnë punëtorë të paguar nga shteti.

“Kjo do të thotë që shteti po i mbulon shpenzimet, ndërsa fitimi vazhdon të shkojë te kompanitë private,” deklaroi Bajrami.

Ajo kritikoi qeverisjen aktuale duke thënë se në gjashtë vitet e fundit nuk ka pasur progres real, por vetëm propagandë dhe mashtrime.

Sipas saj, këto pretendime u konfirmuan edhe nga pronari i kompanisë “Fitorja” gjatë një paraqitjeje live në emisionin Debat Plus. /Kosova.info/

Go to TOP