Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, prezanton platformë digjitale për transparencë në çmimet e derivateve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se ka ndërtuar një platformë digjitale që synon të rrisë transparencën në tregun e derivateve dhe të mbrojë qytetarët në raste krizash ekonomike.

Sipas Sadikut, teknologjia mund të zëvendësojë një pjesë të madhe të proceseve që aktualisht kërkojnë angazhimin e dhjetëra inspektorëve të tregut duke ofruar të dhëna të qarta dhe të aksesueshme për publikun.

Ai theksoi se website-i i premtuar tashmë është funksional, megjithëse të dhënat për çmimet e importit ende nuk janë reale, pasi nuk janë dërguar nga Dogana e Kosovës. Platforma, sipas tij, ka potencial të zgjerohet duke përfshirë të dhëna si vlera totale e akcizës së mbledhur nga derivatet, të hyrat nga TVSH-ja, si dhe krahasime me vendet e rajonit dhe indikatorë të tjerë ekonomikë.

Sadiku u shpreh i gatshëm të ndajë kodin dhe qasjen me institucionet përkatëse, nëse ekziston vullnet për mirëmbajtjen dhe përditësimin e platformës me të dhëna reale. Ai shtoi se një pjesë e madhe e sistemit është ndërtuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

“Transparenca nuk është luks. Është mbrojtje për qytetarin”, ka deklaruar ai duke bërë të ditur se platforma pritet të publikohet së shpejti në domenin derivatet.com. /Kosova.info/

Go to TOP