Elezaj vazhdon sukseset ndërkombëtare, pjesë e kualifikimeve për Evropianin U18
Gjyqtari kosovar Istref Elezaj ka shënuar një tjetër paraqitje të suksesshme në arenën ndërkombëtare duke qenë pjesë e turneut kualifikues për CEV U18 Volleyball European Championship 2026.
Ndeshjet e Grupit B u zhvilluan nga 27 deri më 29 mars në Maribor, ku garuan përfaqësueset e Belgjikës, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Pas tri ditësh konkurrencë të fortë, Belgjika arriti të sigurojë kualifikimin për fazën përfundimtare të kampionatit.
Pjesëmarrja e Elezajt në këtë nivel të lartë konsiderohet dëshmi e besimit që institucionet evropiane të volejbollit kanë ndaj gjyqtarëve kosovarë duke përforcuar pozitën e Kosovës në skenën ndërkombëtare të këtij sporti.
Federata e Volejbollit e Kosovës ka përgëzuar Elezajn për këtë arritje duke i uruar suksese të vazhdueshme në angazhimet e ardhshme ndërkombëtare. /Kosova.info/
