Arrestohen tre të dyshuar për sulm me bombë pranë Bank of America në Paris

Tre persona janë arrestuar në Paris nën dyshimin se po planifikonin një sulm me bombë pranë selisë së Bank of America, kanë bërë të ditur autoritetet franceze, sipas raportimeve të BBC.

Sipas burimeve policore të cituara nga Agence France-Presse, i dyshuari kryesor u kap në vendngjarje pasi kishte vendosur një pajisje që përmbante rreth pesë litra lëng të dyshuar si karburant, së bashku me një mekanizëm ndezjeje. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, vetëm disa rrugë larg zonës së njohur Champs-Élysées.

Autoritetet franceze konfirmuan se më vonë janë arrestuar edhe dy persona të tjerë në lidhje me rastin. “Dy individë të tjerë u morën në paraburgim si pjesë e hetimit të nisur më 28 mars 2026 për veprat e kryera kundër Bank of America”, thuhet në deklaratën e prokurorisë anti-terrorizëm.

Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se sulmi i dyshuar mund të ketë lidhje me tensionet ndërkombëtare. “Në këtë lloj konflikti, ekziston mundësia që shërbime të caktuara të veprojnë përmes ndërmjetësve”, tha ai, duke shtuar se “ekziston një dyshim i fortë, por hetimet do ta përcaktojnë përfundimisht”.

Sipas të njëjtave burime, i dyshuari i parë – një i mitur – është mbajtur në paraburgim, ndërsa një person tjetër që ndodhej me të dhe po filmonte me telefon është larguar nga vendi i ngjarjes në momentin e ndërhyrjes së policisë.

Autoritetet franceze theksuan se, në bazë të ligjit, të dyshuarit për çështje terrorizmi mund të mbahen në ndalim deri në 96 orë, me mundësi zgjatjeje me vendim gjykate.

Ndërkohë, Nunez paralajmëroi se tentativa të ngjashme janë parandaluar edhe në vende të tjera evropiane dhe u bëri thirrje forcave të sigurisë të rrisin vigjilencën, veçanërisht në qendrat e transportit dhe zonat publike.


Go to TOP