Humbin jetën 22 emigrantë të nisur nga Libia për në Greqi
Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në brigjet e Greqisë, ku 22 migrantë kanë humbur jetën pasi qëndruan për gjashtë ditë në det në një gomone në përpjekje për të arritur në Evropë.
Sipas rojes bregdetare greke, 26 persona të mbijetuar, mes tyre një grua dhe një fëmijë, u shpëtuan të premten nga një anije e agjencisë evropiane të kufijve. Dy prej tyre u dërguan për trajtim në spital në Heraklioni, në ishullin e Kretës, raporton BBC.
Mjeti lundrues ishte nisur nga porti i Tobruk në lindje të Libisë më 21 mars. Sipas autoriteteve, kushtet e këqija të motit dhe mungesa e ushqimit dhe ujit kanë qenë faktorët kryesorë që çuan në vdekjen e migrantëve.
Gjatë udhëtimit, pasagjerët humbën orientimin dhe mbetën në det për gjashtë ditë pa furnizime bazë. Gomonia u ndalua rreth 53 milje detare larg qytetit Ierapetra, në jug të Kretës.
Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona nga Sudani i Jugut, të moshës 19 dhe 22 vjeç, nën dyshimin për trafikim të qenieve njerëzore.
Greqia dhe Italia vazhdojnë të jenë ndër vendet kryesore të hyrjes për migrantët e paligjshëm që kalojnë përmes Mesdheut, shpesh nga Turqia dhe Afrika e Veriut.
