Aksident fatal në Gjermani, nëna e djali 3-vjeçar goditen nga kamioni

Një aksident tragjik ka tronditur qytetin Schramberg në qarkun Rottweil të Gjermanisë, ku një nënë 29-vjeçare dhe djali i saj 3-vjeçar humbën jetën pasi u goditën nga një kamion në trotuar, në qendër të qytetit.

Sipas medieve të Kosovës, viktimat janë me origjinë nga Kosova, por kanë shtetësi gjermane. Megjithatë, kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Mediet në Gjermani raportojnë se sipas policisë, shoferi 53-vjeçar i kamionit humbi kontrollin mbi mjetin rreth orës 09:00 të mëngjesit për shkak të një problemi shëndetësor. Ai ka deklaruar se kishte humbur ndjenjat, ndërsa sipas hetimeve të para, alkooli dhe droga nuk kanë luajtur rol në aksident.

Kamioni doli në anën e majtë të rrugës, u përplas me dy vetura të parkuara dhe një veturë në lëvizje, më pas goditi nënën dhe fëmijën e saj në trotuar dhe përfundoi duke u përplasur në murin e një ish-restoranti.

Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme të ekipeve të shpëtimit dhe kalimtarëve për t’i rikthyer në jetë, 29-vjeçarja dhe djali i saj ndërruan jetë në vendngjarje si pasojë e lëndimeve të rënda. Shoferi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u dërgua në spital.

Pas aksidentit, kryetarja e bashkisë së Schrambergut, Dorothee Eisenlohr, u shpreh thellësisht e tronditur, duke deklaruar se ngjarja “e goditi qytetin në zemër”. Ajo bëri të ditur se komuna ka hapur sallën e festave për familjarët dhe ka vënë në dispozicion edhe shërbimin psikosocial.

Go to TOP