Pochettino dëshiron rikthimin në Angli, pranon se i mungon Premier League
Trajneri aktual i Kombëtares së SHBA-së, Mauricio Pochettino, ka pranuar se i mungon puna si trajner në Angli dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Premier League në të ardhmen.
Tekniku argjentinas, i cili më parë ka drejtuar Tottenham Hotspur dhe Chelsea, ka thënë se e vlerëson shumë kulturën e futbollit në Angli. “E dua vendin, kulturën dhe futbollin. Për këdo që ka shpirt konkurrues, është vendi ideal për të testuar veten”, ka deklaruar ai për mediat.
Pochettino është aktualisht duke u përgatitur për Kupën e Botës me SHBA-në, por emri i tij vazhdon të lidhet me një rikthim të mundshëm te Tottenham.
Skuadra londineze, që rrezikon rënien nga liga, pritet të kërkojë një trajner të ri të përhershëm sezonin e ardhshëm, pas shkarkimit të Thomas Frank në shkurt dhe ka emëruar përkohësisht Igor Tudor.
Pochettino ka pasur një periudhë të suksesshme te Tottenham, ku për pesë vite e ktheu klubin në një ndër ekipet më konkurruese në Angli dhe e dërgoi deri në finalen e Champions League në vitin 2019.
Ai ka drejtuar gjithashtu Southampton dhe më pas Paris Saint-Germain, ku qëndroi për një periudhë të shkurtër.
Tottenham aktualisht ndodhet vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga liga, ndërsa Tudor ka marrë vetëm një pikë në pesë ndeshjet e para në krye të ekipit.
